Politika Berisha takim me biznesin: Kukësi, qyteti më i varfër i Europës, edhe...

Berisha takim me biznesin: Kukësi, qyteti më i varfër i Europës, edhe pse ka resurse natyrore dhe ekonomike

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me bizneset në Kukës ka deklaruar se ky është qyteti më i varfër i Europës.

Teksa më 24 shtator do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.

“Këtu ne jemi në qarkun më të varfër të Europës. Dhe këtu, ne nuk jemi në qarkun më të varfër të Europës se lumjanët, se kuksianet nuk janë punëtorë. Absolutisht e kundërta është. Këtu nuk jemi në qarkun më të varfër të Europës se ky rreth, kjo trevë nuk ka potenciale dhe resurse ekonomike të mëdha”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, Kukësi ka mbetur në këtë nivel ekonomik për shkak të politikave që janë ndjekur ndaj këtij qarku.

“Kukësi ka resurse natyrore, ekonomike sa për shumë herë banorët. Resurset ekonomike të Kukësit janë një kontribut i madh në ekonominë shqiptare.

Por Kukësi është qarku dhe rrethi më i varfër në Europë, për shkak kryekëput të politikave që janë ndjekur ndaj këtij rrethi, ndaj këtij qarku”, ka theksuar Berisha.

Berisha komentoi edhe rastin e gjetjes së naftë në Shpirag teksa u shpreh se Rama kërkon ta paraqesë si lugën e artë, ndërkohë që sipas Berishës, aty është gjetur naftë edhe më parë.

“Kukësi ka rezerva të mëdha minerale, por si të gjitha rezervat e tjera nëntokësore, ato nuk janë shndërruar dhe nuk shndërrohen në të mira për qytetarët, për banorët e tyre. Keni dëgjuar ju këto ditë të flitet për naftën e Shpiragut. Në mentalitetin dhe psikoligjinë e vjetër, duan ta paraqesin si lugën e artë. E vërteta është se Shpiragu ka naftë dhe e ka sanksionuar Shell që në shpimin e parë në vitin 2012. Edhe tre shpimet e tjera e kanë konfirmuar”, është shprehur Berisha.