Kryesore Policia nuk i jep leje opozitës për protestën e 6 dhjetorit. Reagon...

Policia nuk i jep leje opozitës për protestën e 6 dhjetorit. Reagon PD: Askush nuk mund të ndalë…

Policia e Shtetit i ka kthyer një përgjigje negative Partisë Demokratike në lidhje me kërkesën e saj për organizimin e protestës së saj në 6 dhjetor në Tiranë, ditë në të cilën do të mbahet dhe samiti i liderëve të BE me Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se për shkak të samitit dhe rregullave të sigurisë që duhet të zbatohen për të, ku do të bllokohen dhe shumë akse rrugore, nuk mund të japë leje për një organizim të tillë, siç ka kërkuara dhe opozita.

Për këtë arsye, policia refuzon kërkesën e PD për organizimin e protestës në orën 12:00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Pas kësaj ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.

“Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në Dhjetor të ’90. Askush nuk mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Askujt në Shqipëri ne nuk i marrim leje për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë, kaq është detyrimi ligjor”, është shprehur ai.

Ndërkohë në letrën drejtuar PD-së, Drejtori i Policisë së Tiranës, sqaron edhe perimetrin e sigurisë, që sipas tij është vendosur në konsultim me strukturat e sigurisë së delegacioneve pjesëmarrëse në këtë samit.

Perimetri është si më poshtë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshi sheshin “Nënë Tereza”.

Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.

Rruga “Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.

Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagami”.

“Rruga “Papa Gjon Pali II” në të gjithë gjatësinë e saj, rruga “Asim Zeneli”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga “Fatmir Haxhiu”.

Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Më 6 dhjetor në Tiranë do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në kryeqytetin e Shqipërisë pritet që të mbërrijnë të gjithë liderët e vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, kreu i PD, Sali Berisha është shprehur se në protestën e 6 Dhjetorit do të zhvillohet një protestë civile që “do ju tregojë liderëve të BE-së, sa proeuropianë janë opozitarët shqiptarë”.