Policia ka publikuar pamjet e operacionit ndërkombëtar të koduar “ASTROLABIO”, ku në finalizimi të tij u shkatërruan 4 grupe kriminale që merreshin me trafikimin e klandestinëve.
Autoritetet njoftojnë se ky operacion është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Po ashtu bëhet me dije se operacioni është në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke.
Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi, me 1120 emigrantë.
Në përfundim të operacioni është bërë arrestimi i 25 personave në Shqipëri, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj.