Një ditë pas grabitjes në banesën e tyre Allias dy bashkëshortët Petrit dhe Afërdita Laze, ndodhen në Spitalin e Traumës, ku sipas mjekëve 61-vjeçari ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa gjendja e gruas paraqitet më e stabilizuar.
Grupi hetimor ka rindërtuar skemën që autorët kanë përdorur për të hyrë në banesën bashkëshortëve biznesmenë.
Grabitësit e kishin mirë-menduar planin duke studiuar rrugën që duhet të ndiqnin, ndërsa kishin dijeni edhe për vendin ku ata mbanin lekët.
Itinerari që kanë ndjekur është e vetmja pa monitorim me kamera sigurie për në banesën e çiftit Laze.
Autorët kanë përdorur këta depozita si shkallë për tu ngjitur në murin rrethues të banesës.
Pasi kanë mbërritur në oborrin pasmë të vilës, janë ngjitur në katin e dytë duke shmangur zonën që monitorohej me kamera sigurie. Policia ka marrë në pyetje vajzën e çiftit ndërsa këtë të hënë është pyetur dhe 59-vjeçarja.
“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti “kush është aty?”. Doli Petriti të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi ti nxirrje jashtë nga shtëpia ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua më qëlluan dhe ikën me vrap”.
Pas ngjarjes së rëndë në zonën e Alliasit, qytetarët shprehen të pasigurt, pasi Petrit dhe Afërdita Laze ishin njerëz që shikonin punën e tyre dhe pa konflikte.
Policia ka shoqëruar disa persona ndërsa hetimet janë fokusuar tek të afërmit që kishin akses për hyrje dalje në banesën e çiftit. Nën hetim janë vënë gjithashtu dhe punëtorët që kishin mundësi të futeshin brenda katit të parë të banesës që shërben dhe si punishte brumi./Rtv Ora