Aktualitet Policia: Rreth 8 mijë efektivë për zgjedhjet, 250 të ndaluar për sulmet...

Policia: Rreth 8 mijë efektivë për zgjedhjet, 250 të ndaluar për sulmet ndaj KZAZ

Drejtoria e Policisë ka dhënë sot shifrat si dhe planin e masave për 30 Qershorin. Në deklaratën e së premtes, policia bëri të ditur se 84 objekte të rëndësisë së veçantë do të jenë në ruajtje.

Ndërkohë mësohet se janë 7,779 efektivë të policisë në në gatishmëri për ruajtjen e procesit zgjedhor.

Albert Dervishaj tha sot se efektivët janë trajnuar nga OSBE dhe se janë porositur të shmangin çdo provokim.

Ai bëri të ditur se janë plot 250 persona të ndaluar për sulmet e fundit ndaj KZAZ-ve.

“Planifikimi i masave për ruajtjen e procesit zgjedhur ka nisur që në muajin shkurt” – bën të ditur policia.

Deklaratë e Albert Dervishaj – Drejtor i Rendit Publik, në Policinë e Shtetit
Në kuadër të masave të deritanishme të marra nga Policia e Shtetit për garantimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Policia e Shtetit për të garantuar një proces votimi sa më të qetë  për votuesit ka marrë një sërë masash shtesë, masa këto që do reflektohen më tepër duke filluar prej ditës së shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, prandaj nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë, po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.

Policia e Shtetit, me një Plan Masash të detajuar garantoi me sukses mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të zhvilluar gjatë fushatës, si dhe do të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.

Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2019, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor.

Janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.

Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:

– Listën me 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.

– Listën me 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit dhe struktura të tjera, do të dërgohen 1.450 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë; si dhe do të vihen në dispozicion 543 automjete.

Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 84 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat “Komando”.

280 punonjës të Policisë të objekteve, do të angazhohen për sigurimin e objekteve zgjedhore dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.

Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen  veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, kryesisht sulme mbi KZAZ dhe punonjësit e policisë  të planizuar pranë këtyre KZAZ-ve, djegie të materialeve zgjedhore, vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59 janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në kërkim.

Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë permanent. Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme kemi kryer trajnimet e punonjësve të Policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, na ka mbështetur në procesin e trajnimeve, por edhe për financimin e “Librit të Xhepit”, e cila është shpërndarë në të gjithë punonjësit e policisë.

Lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që ata të kenë akses dhe të monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.

Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ, si dhe jemi në plotësim të detyrimeve në kuadër të Task Forcës së krijuar në Ministrinë e Brendshme dhe në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.

Deri tani nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit, të jenë evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, të kenë kompromentuar pozicionin si punonjës të depolitizuar, apo të kenë reflektuar qëndrime të një anshme apo politike.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga data 1 Qershor 2019 që ka filluar periudha zgjedhore është ngritur dhe funksionon grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjithë burimet, verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

Është në funksion aplikacioni dixhital për raportimin dhe monitorimin e masave të Policisë së Shtetit për ruajtjen e objekteve zgjedhore, për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi, me përgjegjësit e tyre dhe numrat e telefonit, e cila është nën përgjegjësinë e Grupit të Drejtimit në DPPSh, i cili do të ndjekë on-line, të gjitha masat e policisë duke bashkëpunuar me Grupet e Drejtimit të 12 Drejtorive Vendore të Policisë.

Qëllimi i krijimit të këtij aplikacioni dhe të hartës dixhitale është që ne jo vetëm të zotërojmë situatën për realizimin e detyrave tona në ditët finale, por edhe të kemi një komunikim në kohë reale për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim, do të kenë nevojë, të japim orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm ligjore.

Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka dërguar një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore.

Në përfundim theksoj se gjatë ditëve të fundit nga subjekte politike janë dërguar njoftime në disa struktura vendore të policisë, nëpërmjet të cilave kërkohet organizimi dhe zhvillimi i tubimeve apo protestave në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, pa ndërprerje nga data 27.6.2019 deri në datën 02.07.2019, si dhe pranë KZAZ- ve e Qendrave të Votimit në territorin e disa bashkive.

Kujtoj së në pikën 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore  nëpërmjet organeve të medias, zhvillimi i mitingjeve ose veprimtarive të tjera zgjedhore…”.

Sa më sipër sqaroj së çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në ë vjet.

Gjithashtu, në Vendimin e KQZ-së me Nr. 498 datë 24.06.2017 përcaktohet se gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në oren 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qendrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit (oborret, korridoret, apo përpara hyrjes në objekt ku janë vendosur qendrat e votimit).

Sqaroj se Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Udhëzimin nr. 7, datë 23.03.2009 “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhje”, i ndryshuar, sikurse u thanë më lart, ka planifikuar masat për ruajtjen e sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik etj., sipas kërkesave ligjore dhe procedurave standarde të miratuara.