Në një komunikim zyrtar Drejtoria e Policisë Elbasan ka dhënë detaje lidhur me një ngjarje të ndodhur gati një javë më parë, për të sqaruar statusin e bërë nga Sali Berisha në profilin e tij të facebook. Policia i është përgjigjur po në facebook ish kryeministrit duke hedhur dritë mbi një ngjarje, që ka pasur vetëm një person të dëmtuar para zyrave të LSI në qytetin e Elbasanit.
Statusi i plotë i Drejtorisë së Policisë:
Lidhur me statusin e publikuar nga deputeti Berisha në facebook që bën fjalë për “Gjëndje dramatike në Elbasan! Elbasani nën terror bandash, policia me banditët fsheh krimet e tyre!”, Policia e Elbasanit sqaron se: Nuk ka asnjë ngjarje të ndodhur 3 ditë më parë siç pretendon zoti Berisha. Por duke besuar se bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në datë 28.05.2017, rreth orës 20:00, bëjmë me dije se u mor njoftim nga Salla Operative e Komisariatit të Policisë Elbasan se në spital kishte shkuar i dëmtuar shtetasi D.S, 47 vjeç, banues në Elbasan. Menjëherë në spital dhe në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë të cilët kanë marrë kontakt me të dëmtuarin. Grupi hetimor pasi shkoi në vendngjarje, kreu veprimet e para proçeduriale. Sipas shpjegimeve të të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, shtetasi D.S ka qenë i vetëm para zyrës elektorale LSI dhe është goditur me sende të forta nga dy persona të panjohur.
Shërbimet e policisë kanë kryer të gjitha veprimet proçeduriale, u bë kqyrja e vendit të ngjarjes, vendimi i ekspertimit mjeko–ligjor për dëmtimin dhe shkaqet e ardhjes së tij si dhe u morën deklarimet e personave që ishin të pranishëm. Po kështu është bërë kontrolli i kamerave në afërsi të vendit të ngjarjes. Hetimet kanë vijuar edhe të nesërmen, me marrjen e deklarimeve të personave të tjerë. Shërbimet e policisë po punojnë për identifikimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Sqarojmë gjithashtu se ngjarja është pasqyruar në faqen zyrtare në ëeb, të Policisë Shtetit. Policia e Elbasanit ndjek e trajton me përgjegjësi çdo situatë dhe garanton ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, konform ligjit si dhe në transparencë të plotë ndaj medias e publikut.
Gjejmë rastin dhe ftojmë këdo të ndihmojë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt duke shprehur gadishmërinë e Policisë së Shtetit për t’ju përgjigjur në kohë çdo kërkese për informacion ndaj kujtdo” përfundon komunikata e policisë në profilin e facebook.