Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo ka pritur të martën në New York për një drekë pune, presidentin e Serbisë, Aleskandër Vuçiç. Në takim u diskutua për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Pas takimit, Pompeo shkroi në rrjetin social Twitter se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.
Presidenti serb Vuçiç, nga ana tjetër, shkroi po në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tani, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin taksat” ndaj mallrave serbe dhe se “nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit janë bllokuar në nëntor të vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës vendosi taksat 100% ndaj mallrave serbe në shenje kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.