Popullsia e botës ka arritur në 8 miliardë njerëz. Në një deklaratë, OKB-ja sqaron se kjo shifër nënkupton se 1 miliard njerëz i janë shtuar popullsisë globale në vetëm 12 vite.
“Kjo rritje e paprecedentë është për shkak të rritjes graduale të jetëgjatësisë së njeriut për shkak të përmirësimeve në shëndetin publik, të ushqyerit, higjienën personale dhe mjekësinë. Është gjithashtu rezultat i niveleve të larta dhe të vazhdueshme të lindshmërisë në disa vende”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Megjithatë OKB sqaron se numri i njerëzve në botë është vështirë të llogaritet më saktë si të plotë.
Rritja më e madhe e popullsisë në 11 vitet e fundit është shënuar në vendet me të ardhura mesatare, kryesisht në Azi. Vende të tjera që përfundojnë listën me popullsinë më të shpejtë në rritje janë Egjipti, Pakistani, Filipinet dhe India, e cila do të kalojë Kinën si kombi më i populluar në botë vitin e ardhshëm.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë dhe Japoni lindjet kanë qenë në rënie të vazhdueshme e kjo për disa arsye duke filluar nga ndryshimi i mënyrës së jetesës deri te shqetësimet ekonomike.
Rritja e shpejtë e popullsisë nënkupton gjithashtu edhe më shumë probleme. Shumë familje pritet të përballen me urinë pasi ndryshimet klimatike do të ndikojnë gjithnjë e më shumë në prodhimin e të korrave në shumë pjesë të botës.