Kryesore Deklaratat e sekretares britanike, Rama: Fakti që nuk u kërkua falje tregon...

Deklaratat e sekretares britanike, Rama: Fakti që nuk u kërkua falje tregon që sulmi ka qenë i kalkuluar

Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë një konference për shtyp se deklaratat e Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, ka qenë sulm i kalkuluar. Këtë sipas tij, e tregon fakti që nuk është kërkuar falje.

Pyetje: Nga bisedat që unë kam patur me ata të cilët ju zoti Kryeministër i quani “çunat e Londrës” e përkrahin të gjithë qëndrimet tuaja në mediat britanike dhe insistimin që ministrja e Brendshme, Suella Braverman, duhet të kërkojë falje për retorikën e saj në parlament, por nga ana tjetër ata kërkojnë nga qeveria shqiptare të ngrejë stekën krahas asaj kërkese, të kërkojë edhe një liberalizim, apo lehtësim të vizave, në mënyrë që shqiptarët të mos mbërrijnë me gomone siç kanë mbërritur 12 mijë prej tyre deri më tani.

Edi Rama: Situata dihet se cila është. Ne mund të themi shumë gjëra, por dihet që qeveria britanike ka hyrë në një rrugë pa krye me gjithë politikën e re që ka ardhur si rezultat i Brexit dhe të kërkosh liberalizim vizash është gjëja që unë e kam thënë dhe përsëritur, por faktikisht ata janë në një drejtim komplet të kundërt me këtë, politikisht. Kështu që çfarë të them më shumë se kaq. Ndërkohë që falja do kishte zgjidhur shumë gjëra. E thashë në një intervistë që bëra. Fakti që falja nuk erdhi tregon që sulmi ka qenë i kalkuluar, nuk ka qenë një nga ato shprehjet që dalin padashje dhe pastaj njeriu kërkon falje sepse në gjaknxehtësi e sipër njësoj si në një ndeshje mund të thuash ndonjë gjë që nuk do doje ta thoshe. Fakti që falja nuk erdhi dhe nuk ka ardhur tregon që faktikisht sulmi ka qenë i kalkuluar.