Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama nuk u kursye të japë porosi për të gjithë ministrat.
Ai tërhoqi vëmendjen se askush nuk do të ketë mbrojtje nga ai apo PS-ja nëse do të shkelë ligjin. Po ashtu, Rama u kërkoi ministrave të rinj që të mbajnë larg të afërmit nga zyrtar e shtetit.
“Qeveria do të ketë një faqe online me një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut mbi çdo akuzë apo denoncim. Në atë rubrikë, secili prej jush do të përgjigjet. Kush nuk do të thotë të vërtetën do të mbajë përgjegjësitë morale, por ligjore nëse do të jetë rasti.
Unë u jap një porosi, ministër nuk bëhesh vetë, të bën kryeministrin, vendin nuk ta mbaj unë, duhet ta mbash vetë, kjo vlen edhe për dyshemenë. Dyshemeja e qeverisë është ligji, kush shkel në dërrasë të kalbur, punën e ka me organet ligjzbatuese, jo me mua, as me qeverinë, as me partinë. Të jeni të sigurt, unë do t’iu mbështes në arritjen e objektivave të përbashkëta, do t’iu mbroj nga çdo agresioni dhe kundërshtari të progresit, do t’iu ruaj edhe shpinën nga çdo erë kundër jush që mund të fryjë për shkak të detyrës. Por edhe njëherë, as mua dhe as PS-në nuk do ta ketë pas kush do të hedh edhe një hap jashtë ligjit.
Familja ime nuk ka asnjë lidhje me punët e shtetit. Ju kërkoj ju që të mbani larg familjet tuaja nga dyert e zyrave të shtetit, nga fondet publike dhe nga kërkesat e të tretëve, kushërinj, krushq apo miq, për favore sado të vogla”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se vendimi i parë i qeverisë së re është pikërisht kthimi në ligj i platformës së “bashkëqeverisjes”.
“Vendimi i parë i kësaj qeverie është që kjo platformë të kthehet në ligj. Do çohet në kuvend. Një gjë është me rëndësi të thuhet. Marrëdhëniet me publikun nuk mund të jetë opsionale. Duhet të lini çdo gjë kur një qytetar ndodhet pa adresë për shkak të zinxhirit të varësisë suaj që nuk e përfill. Duhet të silleni sikur qytetari të ishte babai juaj, nëna juaj. Për ata duhet të tundni gjithçka. Nuk ka shkop magjik për funksionimin e të gjithë institucioneve sepse kjo do kërkojë kohën e vet.
Nga gropa e zezë e institucioneve me tym qoftesh nuk kemi bërë pak por nuk mund të bënim gjithçka. Sepse bota ka ndërtuar me shekuj dhe nuk i ka shembujt e shkatërruar. Ne këtu dhe ju këtu mund të rrini me shkop në kokë shefave, përgjegjësve. Do lutesha ta lexoni vetë ligjin e ri të bashkëqeverisjes. Ta konsideroni libër të shërbimeve ndaj publikut”, tha Rama.