Aktualitet Gjendet i gjallë Davide Pecorelli, u shpall i zhdukur 8 muaj më...

Gjendet i gjallë Davide Pecorelli, u shpall i zhdukur 8 muaj më parë në Shqipëri

Hetimet për biznesmenin italian që u shpall i zhdukur 8 muaj në Shqipëri kanë marrë një rrjedhë të paparashikuar. Mediat italiane shkruajnë se Davide Pecorelli, 45-vjeç është gjetur i gjallë në Itali dhe pse ai mendohej se kishte vdekur në Shqipëri.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Pecorelli është gjetur dje, i gjallë dhe me shëndet të plotë. Bëhet me dije se ai ka shpëtuar nga mbytja me një gomone pranë një ishulli në afërsi të Livornos.

Pecorreli ka njoftuar gruan e tij që është gjallë dhe kjo e fundit ka bërë publik lajmin. Po ashtu zbulohet se biznesmeni që nga koha që është shpallur i zhdukur ka qenë i fshehur në këtë ishull dhe është shprehur se “Kam qenë me pushime”.

Edhe babai i biznesmenit ka folur për mediat italiane dhe ka thënë se mezi pret që të takohet me të birin.

“Unë do ta përqafoj, por menjëherë pasi t’i tërheq veshët! Unë po shpresoja për të, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë: ajo (ish-gruaja e Davide) menjëherë më tha se kishte folur me Davide-n dhe se ai është mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi“, ka thënë Renato Pecorelli, babai i biznesmenit.

Babai i 4 fëmijëve, Pecorelli ishte zhdukur në Pukë, 8 muaj më parë ku kishte ardhur për një udhëtim pune. Në atë kohë është raportuar se 45-vjeçari kishte vizituar Shqipërinë, pasi po shihte mundësinë për të zgjeruar biznesin e tij.

Makina e tij u gjet e djegur në një rrugë jo shumë të frekuentuar. Në mjet u gjetën disa sende personale dhe kocka, që kurrë nuk u vërtetuan që ishin të tij.

Pecorelli ka deklaruar se do të japë sqarime pranë prokurorisë italiane për këtë çështje.