Aktualitet “Porositësi”/ Si u parandalua atentati ndaj dy personave me 4 kg eksploziv

“Porositësi”/ Si u parandalua atentati ndaj dy personave me 4 kg eksploziv

Policia bëri të ditur këtë të martë se ka vënë në pranga 14 persona dhe ka shpallur në kërkim 5 të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përshirë në disa ngjarje kriminale, mes të cilave vrasje dhe shitblerje armësh.

Gjithçka ka nisur pas marrjes peng të dy vëllezërve Gentjan dhe Indrit Beqiraj në autostradën Durrës-Tiranë.

Mes ngjarjeve ku këta persona janë të përfshirë, sipas policisë, është vrasja e Erion Çelës, 35 vjeç, më 4 janar të këtij viti. Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në këmbë dhe në fytyrë.

Ndërkohë, sipas policisë, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngjarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.

Personat e tjerë të lartpërmendur, aktualisht të arrestuar, janë të përfshirë në aktivitetin kriminali të dy vëllezërve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa.