Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar ditën e sotme në seancë plenare projektin për ndërtimin e Portit të Durrësit.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj ka theksuar rëndësinë që ka porti teksa ka thënë se në mbyllje të kontratës, shteti është aksioner 33 për qind.
Gjithashtu Ibrahimaj ka deklaruar se ndërtimi i Portit të Durrësit do të sjellë 12 mijë vende të reja pune.
Delina Ibrahimaj: Sot kam privilegjin të prezantoj projektin më madhor të Portit të Durrësit. Me keqardhje si qytetare shoh se ky nuk është një debat, ky është një dashakeqësi, tymnajë jo gjysmë të vërtetash, por një tymnajë gënjeshtrash të cilat synojnë që t’i serviren si biseda kafenesh.
Ne prezantojmë një projekt investimi, ky nuk vjen i vetëm, investimet janë rritur në 35 për qind në krahasim me një vit më parë. Shqipëria sot ka bërë një progres. Projekti që po ju paraqes është rasti më ekselent që synon zhvillimin e zinxhirëve të vlerave përmes transformimit të Durrësit. Ky projekt nuk është më i madhi vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon që kap vlerën e 2,1 miliardë eurove. Synohen të krijohen 12 mijë vende pune dhe këtu po flas për ndikimin direkt të projektit, me punësimin në biznese apo njësi shërbimesh.
Ne sjellim para jush një kontratë të mirënegociuar që përkthehet në zhvillim ekonomik me rëndësi rajonale, me rritjen e vlerës së pronës. Ne kemi negociuar për më shumë se 1 vit, ne kemi pranuar vetëm 5 kërkesa. Këto negociata kur nisën shteti ishte aksioner me 19 për qind dhe kontrata u mbyll me 33 për qind. Aksionet nuk do të ndryshojnë në asnjë moment sepse kemi të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje të rëndësishme.
Transformimi i Portit të Durrësit vjen si nevojë e pavarur për transformimin e infrastrukturës portuale. Përparësi e dhënë për zhvillimin e ekonomisë blu kërkon që Porti i Durrësit të kthehet porti kryesor në rajon, ky është vizioni jonë. Në fazën e parë do të funksionojë si port tregtar, në vijimësi si një port që mund të ofrojë shërbime anijeve që të qëndrojnë më gjatë dhe të gjenerojnë të ardhura.
Ne kemi negociuar gjatë për të mbajtur fort interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Projekti i parë ku qeveria shqiptare bëhet aksionere. Kam bindjen e plotë se do të ngrihemi dhe do t’i hapim rrugë një prej investimeve më të mëdha në rajon.