Në një fjalim të gjatë në Parlament, kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje akuzave të opozitës për draft marrëveshjen për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit nga kompania e investitorit nga Dubai, Muhamet Alabbar.
“Po kur thonë do na e lënë Shqipërinë pa port tradhtorët? E kanë thënë gjithmonë. Për portet ankohen më shumë ata që s’dinë not. Nuk e them unë. Kjo është gjuha e mësuesve të mi dhe sot kam ardhur t’ju përmes tyre, unë thjesht lexoj. Po si mor do e lëmë pa port? Është shkruar, puna nis me fazën e parë që është jashtë portit. Të gjitha spostimet nga porti i vjetër i aktiviteteve tregtare që janë aty të koncesionuar më parë do vazhdojnë të pandërprera deri kur të jetë gati porti i ri. Janë të shkruara në marrëveshje. I dinë dhe këta. Tani u duket të tërëve me mufo e me çufo deri tek napoleoni i gjirizave.
Janë të njëjtët që m’u si pykë i rrinë Shqipërisë, aty rrinë që nga vitit 1912 katran me bojë. Ne tradhtorët po u falkemi sot një copë mëmëdheu që sipas llogarive të mëmëdhetarëve na qenka 600-700 milionë në këmbim të një investimi që na qenka 80 apo 120 milionë. Në të vërtetë, ne s’po falim asgjë, asnjë metër tokë, por i japim të drejta zhvillimi mbi një pronë shtetërore ku pikërisht se shteti është pronar dhe për herë të parë ortak me një investor të huaj, që do investojë 2.1 miliardë të paktën. Por mëmëdhetarëre, ortakut shtet ja numërojnë tërë vlerën e pronës, ndërsa investitorit ja zënë veç. Duke qenë se turpin këta të paudhë e kanë ngrenë, i çajnë daullet e veshit miletit që dhe taksat na qenkan falur. Janë plot 1.069 miliardë Euro që shteti do fitojë. Ndërsa taksa e kontributit në infrastrukturë nuk falet. Ky ortaku shtet i futur në këtë investim nga ne për të qenë i pranishëm aty ka veto për të miratuar buxhetin në dispozicion të këtij projekti. Kur ka ndodhur që shteti shqiptar të hyjë në investim si ortak dinjitoz”.
Rama u ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës për sulmet që kanë bërë ndaj investitorit Muhamet Alabbar.
“Jeni ortak thonë në një kompani offshore. Kompania Eagle Hills është e regjistruar në Abu Dabi me përfitues fundor të ditur, të bërë publik. Po nuk është Emari, thonë, prandaj është mashtrim. Duke mos pasur asnjë lloj cipe që këtu nuk më akuzojnë mua, nuk na akuzojnë ne, se mirë mua më dinë si veten e tyre, po akuzojnë për mashtrim një personalitet të ekonomisë globale, themeluesin dhe drejtuesin e Emar Group i cili është në lirinë e tij të vijë në Shqipëri me një kompani fringo të re ta quajë Eagle Hills Albania. Ama boll që në ballë dhe në shpinë të këtij operacioni masiv të jetë ai, Muhamet Alabbar, një investitor i njohur dhe i respektuar botërisht.
Çfarë mendje duhet të kesh për të ngritur akuza të tilla për një personalitet të ekonomisë globale? I cili kur i thonë llafit duhej pritur me lule këtu. Duhet të kesh mendje hajduti, duhet të jesh vetëm me një mendje hajduti si atyre që i jepnin copat e vendit me 1 Euro dhe nën dorë kërkonin gjysmat e shamisë të kërkimit nga beleja. Vetëm një mendje e tillë mund të prodhojë akuza llum i zi që të marri ujërat e të shkojë deri në Dubai”, u shpreh Rama.