Historikisht, përgjatë karrierës së tij, Ermal Mamaqi është fokusuar në një drejtim: humori. Emisionet kishin në fokus humorin, personaliteti i tij, Instagrami i tij. Prandaj, u çuditëm pak kur vumë re se Mamaqi filloi të postonte citate frymëzuese nga Aristoteli, Sheryl Sandberg apo Leo Tolstoy.
Me përllogaritjet tona, Mamaqi nisi sagën e postimeve motivuese në nëntor të vitit të shkuar dhe deri më sot nuk ka reshtur dhe as nuk e ka në plan.
I ftuar në “ThumbOn,” ai foli për rrugëtimin e tij nga i varfër në i suksesshëm. Ai mendon se biznesmenët shihen shtrembër në Shqipëri ngaqë jemi një vend post komunist. Atë vetë e mësonin prindërit se biznesmenët shfrytëzojnë të varfërit. Sipas Mamaqit (dhe kapitalizmit) biznesmenët krijojnë mundësi që të varfërit të mos jenë aq të varfër. “Të varfërit nuk janë të varfër ngaqë janë të pasurit të pasur,” thotë ai. “Që të pasurohen duhet në rradhë të parë të ndryshojnë mendimin dhe të gjejë mënyrën si të bëhen të pasur.”
Si ndodhi e gjithë kjo? Si dolëm këtu? Pse po flet Ermal Mamaqi për të varfërit dhe të pasurit?
“Unë trajnohem për t’u bërë trajner. Nuk jam akoma në atë nivel që të dal dhe t’u them njerëzve që mund t’u tregoj rrugën drejt suksesit. Është një nga ëndrrat e mia. Besoj se do realizohet dikur,” shpjegoi ai.
Me trajner, Mamaqi do të thotë guru për jetën, suksesin dhe biznesin, pak a shumë si Tony Robbins që po përmendet çdo ditë e më shumë në Anabel. Ndoshta kjo lëvizje përshkruan më së miri frymën e njerëzve në Shqipëri sot, që duan çmos të jenë të suksesshëm dhe të pasur.