Politika PPE i heq të drejtën e votës në Kongres? PD sqaron si...

PPE i heq të drejtën e votës në Kongres? PD sqaron si qëndron e vërteta

Partia Demokratike e Shqipërisë nuk do të lejohet të votojë në Kongresin Partisë Popullore Europiane që do të mbahet në Roterdam, ku do të votohet Presidenti i PPE. Kjo është hera e parë që PD nuk lejohet të votojë që kur është anëtarësuar në këtë organizatë politike evropiane.

Floriana Garo, zëdhënësja e kreut të PD-së Sali Berisha ka reaguar pas këtij lajmi, duke thënë se PPE mban qëndrim neutral për konfliktin në simotrën e saj shqiptare.

Sipas PD, PPE ka vendosur të mos ftojë në Kongresin e saj delegacion zyrtar nga PD, deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare të çështjes të përfaqësimit zyrtar të PD-së.

Në Kongresin e PPE-së ftuar Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku, por si delegatë të forumeve evropiane.

“Njoftimet e zyrës së dizinformimit Rama-Basha të shpërndara në disa media se PD është përjashtuar apo pezulluar nga partia Popullore Europiane (PPE) janë trillime pa asnjë bazë.

PPE ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë qëndrim tërësisht neutral në lidhje me zhvillimet e brendshme në PD.

Për këtë qëllim, në fund të marsit 2022, PPE vendosi të mos ftojë në Kongresin e saj delegacion zyrtar nga PD, deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare të çështjes të përfaqësimit zyrtar të PD-së.

Megjithatë për t’i dhënë zë përfaqësuesve të PD-së, në Kongresin e PPE-së në Rotermdam janë ftuar dhe po marrin pjesë si delegatë të forumeve europiane 3 deputetë të PD-së:

  1. Albana Vokshi, delegate nga Forumi i Gruas i PPE -së
  2. Belind Këlliçi, delegat nga forumi rinor EDS
  3. Jorida Tabaku, delegate nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, deklaroi Garo.