Një ditë më parë tre aleatë të Lulzim Bashës, konkretisht Zef Shtjefni, Partia Ora e Shqipërisë, Nikolin Staka i Lëvizjes Demokratike për Ndryshim dhe Artur Roshi, Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, dorëzuan në KQZ formularët e dekriminalizimit duke hedhur kështu një hap zyrtar për të marrë mandatin e deputetit.
Ndërkohë që kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, përmes një postimi në Facebook sqaron të gjitha arsyet e vendimit që e çuan që të pranonte mandatin.
“Sot po marr një mandat të mohuar nga PD në 2017”, thekson ai në faqen e tij në Facebook, duke shuar se është ndjerë i fyer nga Basha, kur nuk i lexoi emrin e partisë si aleatë besnikë, duke i lënë edhe jashtë tryezës së aleatëve.
Statusi i plotë i Artur Roshit në facebook
Pse pranova të marr mandatin për në parlament?
Emri im në listat e PD tregon qartë se është pjesë e një marrëveshjeje që erdhi si detyrim për ne si aleatë për të mos garuar në zgjedhje dhe të votohej vetëm sigla e PD, pra defacto mandati që marr është i Ballit Kombëtar Demokrat sepse votat tona në gjithë Shqipërinë bëjnë të paktën dy mandate.
Sot po marr një mandat që të mohuar nga PD në 2017.
Lista e PD përfaqësonte listën e gjithë koalicionit Opozitar dhe si të tillë për “diegien“ e mandateve duhet të ishim pyetur nga PD para vendimit.
Kjo gjë nuk ndodhi as për etikë.
Kështu kemi një vendim thjesht të PD,i cili nuk shtrin efektin e tij tek unë që nuk jam anëtar i saj.
Megjithatë pavarësisht se isha skeptik për vendimin e saj,e përkraha si gjest politik që të jepte efekt duke vepruar mbi sedrën e kryeministrit për t’u tërhequr.
Efekti ishte zero mbi Ramën si njeri që pushtetin nuk e ndërron me asgjë morale. Pra kalkulimet politike të këtij akti janë bërë keq.
Sot edhe vetë vendim-marrësit ,PD-ja pranojnë se ishte një veprim i gabuar,i fortë dhe kundër parimeve të demokracisë Euro-Atlantike.
Lind pyetja pse marrja e mandatit konsiderohet tradhëti dhe jo një korrigjim i gabimit emocional e lajthitës të PD ?
Kush është ndryshimi tek unë,dje Opozitar jashtë parlamentit dhe sot po Opozitar në parlament.
Nuk ka sens logjika se Opozita jashtë Parlamentit do ta rrëzojë Ramën, ndërsa Opozita në Parlament bashkpunon me Ramën.
Opozitat janë Opozita pavarësisht rrugëve të ndjekura dhe fuqisë së tyre.
Dje ishte në Parlament Opozita që është sot jashtë.
A ishte ajo bashkëpunëtore e Ramës? Me logjikën e vetë PD, Po.
Si ndryshoi brenda një dite nga bashkëpunëtore në të kundërtën e saj?
Shigjeta e të drejtës Opozitare shkon nga shkon PD ?
Kush e cakton statusin e Opozitarit, PD-ja?
Opozita nuk është tapi e më të fortit.
Në gjithë këto vite,PD është një Parti Opozitare parciale e Partisë Socialiste thjesht për pushtetin dhe jo Opozitare e filozofisë së majtë mbi të cilën qeveris ajo.
Kjo dukej dje dhe sot,sepse PD asnjëherë nuk vlerësoi dhe të tregonte mirënjohje për votat që merr nga ish të përndjekurit politikë,ish-pronarët, të cilët kanë treguar devotshmëri për të.
Unë vetë kam sakrifikuar për PD, kujtoj “çështjen e të ndjerit Hakile Rama”, dhe kam marrë prej saj shijen bajate të mosmirënjohjes.
PD që prej dy vjetësh ka organizuar tryeza të koalicionit Opozitar vetëm me partitë parlamentare duke shpërfillur ne jo-parlamentarët besnikë.
Edhe mbas “diegies” së mandateve që ishim të gjithë jo-parlamentarë sërish ne aleatët tradicionalë besnikë na la jashtë tryezave të saj.
Unë pjesëmarrës në çdo protestë,por u ndjeva i fyer kur Basha lexoi emrat e çdo partie me perjashtim tonin si aleatë besnikë.
Pra PD ka përçmuar besimin tonë ndaj vetes së saj.
Përtej çdo raporti politik apo personal,
Vendimi im për marrjen e mandatit nuk është as cinik,as meskin dhe as kapriços,p or një veprim i matur nën sytë e Optimistit të Çërçill-it,që në çdo rrezik shikon një mundësi.
Ky vendim tenton të ruajmë ekzistencën tonë politike, ngaqë besnikëria jonë e ekzagjeruar ndaj PD po na çonte drejt asgjësimit duke na shpërfillur në raport me aleatët e tjerë të saj.
Ky vendim tenton në forcimin e linjës tonë politike dhe krijimin e një produkti politik mbi filozofinë Konservatore Moderne Europiane që predikojmë si vazhdimësi e Mid’hat Frashërit.
Ky vendim tenton në kontributin për instalimin në kodin zgjedhor të votës së lirë, si themeli i një sistemi demokracie të vërtetë në fillim dhe si mekanizëm kontrolli i këtij sistemi në vazhdimësi.
Ky vendim hap derën e një taktike politike që i shërben Partisë që drejtoj, për të tërhequr vëmendjen dhe për të rritur komunikimin me publikun, e cila është në të njëjtën dinamikë me protestën dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve.
Futja ne parlament korrigjon vendimin që tashmë duket i dështuar i Opozitës dhe kjo është një detyrë dhe bonses për të maximalizuar energjitë Opozitare në kushte të tjera.
Ne nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën mëndje që bëri diktaturën,të bëjmë edhe demokracinë.
Ky është problemi real i politikës sonë sot.
Sipas PD: PS është përsëmbari vetëm se ja prish kryetari.
Pra u zgjidhka problemi në se ikën vetëm kryetari?
Unë them jo,dhe duhet të iki nga pushteti kryetari së bashku me PS,sepse filozofia e tyre Marksiste prodhon me shumicë dhe në seri kryetarë po si ky,ndaj duhet të jemi kundër sistemit që ka ngritur e majta.
Unë do jem nder ata qe do mundohem te krijoj kohezion me opozitarizmin brenda parlamentit me ate jashtë.
Qëndrimi im do jete në vazhdimësi e qëndrimeve që kam patur,derëhapur ndaj bashkëpunimit me PD dhe anti-komunist, anti-Ramë, anti-PS sa të kem fuqi.
Unë besoj ne intuitën time politike,prandaj them se në kohën që logjika do zvendësojë emocionin politik të momentit,Opozita brënda Parlamentit dhe ajo jashte Parlamentit do kenë një rezultante që do godasë përfundimisht hiearkinë e sistemit të mjerimit të formësuar nga kjo qeveri e majtë.
Meqënese “e drejta“, si koncept që nuk është prone e askujt, dhe as privilegj i të fortëve, as e Golisë dhe as e Davidit, dhe meqë e njoh natyrën e saj dinamike pranoj që ndoshta dëshpërimi dhe humbja e besimit tek PD, pamundësia ime për të mos injoruar mosmirënjohjen e saj ka ndikuar ne gjykimin tim.
Megjithatë siç tha Krishti: “Ai që s’ka asnjë mëkat le ta hedh gurin i pari”.