Vajza e re shqiptare që pranoi publikisht se ishte infektuar me koronavirus dhe tregoi simptomat në një video të publikuar online në Instagram, ka dhënë lajmin e mirë.
24-vjeçarja e ka mposhtur virusin e frikshëm dhe për këtë falenderon sistemin e saj imunitar. Në një seri postimesh në Instastory ajo shkruan se kjo periudhë nuk ishte e vështirë për të, por e bëri të kuptojë se është më e fortë nga sa mendonte:
“Thjesht ishte një kalitje tjetër. Kuptova që jam më e fortë nga ç’mendoja. Më bëri të kuptoja që të punuarit me veten jep rezultat, pavarësisht se nuk është përherë e dallueshme në një situatë normale”.
Vajza tregon se virusin e mori nga nëna e saj, e cila për vete nuk e di ende sesi u infektua. Aktualisht 24-vjeçarja mezi pret të dalë jashtë, por duhet të kalojë 14 ditë të plota në izolim, para se ta bëjë një gjë të tillë.
Në 21 mars e reja publikoi një video në profilin e saj publik në Instagram, ku u bënte thirrje të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi, pasi është veprimi më i mirë për të ndihmuar veten dhe personat që po luftojnë me këtë epidemi.
“Pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda në shtëpi, sidomos kur je i shëndetshëm, më besoni janë komplet të papërfillshme krahasuar me pasojat që të lë të shikosh familjarin që ta merr ambulanca, një familjar me të cilin do kesh kontakt vetëm telefonik për kushedi se sa kohë. Përveç kësaj, me pasojën që do kesh kur të vijnë të të bëjnë analizën dhe të të trajtojnë sikur je literalisht një mbetje kimike, sepse fundja në këtë pikë ke thuajse të njëjtën rrezikshmëri për të tjerët”, thoshte vajza me lot në sy.
“Ky virus nuk është shaka, po jua thotë dikush që po vuan pasojat. Po jua thotë dikush që ka dikë të shtruar në spital dhe po jua thotë dikush që është karantinuar momentalisht në shtëpi, me zero kontakt njerëzor.”- shtonte ajo më tej.
Video-mesazhin e vajzës e ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook edhe kryeministri Rama, i cili i ka dhënë mbështetjen e tij në këto ditë të vështira.