Cristiano Ronaldo e synoi tranferimin tek Juventusi që në muajin janar. E zbulon këtë fakt interesant për mediat italiane menaxheri i CR7, Jorge Mendes, teksa mori çmimin “Golden Boy” si agjenti më i mirë europian, i dhënë nga e përditshmja “Tuttosport”.
Bisedimet nisën prej atëherë dhe në muajin korrik, sulmuesi 33-vjeçar iu bashkua “Zonjës së vjetër”, me të cilën po zhvillon një sezon vërtet shumë të mirë.
“Në muajin janar, Cristiano më shprehu dëshirën e tij për të luajtur me Juventusin. Iu përgjigja se do të ishte një tratativë e vështirë, por jo e pamundur. Pasi në jetë nuk ka asgjë të tillë”, – zbuloi Mendez.
Menaxheri portugez i Ronaldos tregoi më pas edhe detajet e kësaj tratative, që çoi futbollistin te “Zonja e vjetër”.
“Takimi i parë me drejtuesit e Juventusit u bë me rastin e ndeshjes së Championsit me Realin e Madridit. Pas kësaj ka pasur një sërë bisedash telefonike, të cilat e bënë të mundur realizimin e këtij operacioni. Merita ishte e gjitha e Juventusit, e presidentit Agnelli dhe personave që vendosën të sillnin në Torino Cristiano Ronaldon. Me Florentino Perezin gjërat u zhvilluan normalisht. Juventusi kërkoi lojtarin dhe tratativat u mbyllën pas 2-3 muajsh”.