Shantazhi ndaj njerëzve të drejtësisë për të cilët po flet prej 10 ditësh ambasadorja amerikane, duhet të jetë aq prezent sa e ka detyruar sërish Yuri Kim të tregojë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjyqtarët që përballen me korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.
Pas takimit me gjyqtarët e shkallës se parë antikorrupsion, ambasadorja amerikane ishte edhe në gjykatën e Apelit të Posaçëm për të nxitur gjyqësorin e drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm.
“Ne do të qëndrojmë krah jush, do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me ju“, iu tha Yuri Kim gjyqtarëve, pak orë mbasi publikisht të enjten dha mesazhin e qartë se presioni, shantazhi dhe telefonatat kërcënuese nuk duhet të triumfojnë.
Nuk ka ende asnjë informacion se kush qëndron pas shantazheve, por TCh disponon informacionin se kush është kërcënuar.
Duket se vizita e vazhdueshme dhe mesazhet këmbëngulëse të ambasadores amerikane me trupat gjyqësore kanë lidhje me kërcënimin e një gjyqtareje të posaçme e cila u kërcënua, u shantazhua dhe u përndoq në mënyrë që të mos jepte drejtësi.
Jo vetëm ajo por edhe familjarët e saj. Nga të dhënat që TCh rezulton gjyqtarja në fjalë është shprehur me vendim. Ndërkohe që është marrë në ruajtje ajo dhe familjarët e saj, bëjnë me dije burimet e TCh.
Ambasada amerikane duket se nuk e ka në agjendë deklarimin e emrave, por mesazhet po bëhen përditë dhe më të forta në përkrahje të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Duket se te angazhuar me propozimet për ndryshimet kushtetuese mbi mandatin e kryetarit të SPAK dhe shqetësimin se kush do të jetë drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme, rezulton se SPAK nuk ka nisur ende hetime për kërcënimin e një gjyqtari.
Deri më tani, kërcënimi i një gjyqtari është vetëm shqetësim i ndërkombëtarëve dhe i trupave gjyqësorë./TCH