Nga një festë që duhet të ishte, rikthimi i Luis Enrique shkaktoi polemika të shumta në kombëtaren spanjolle.
Roberto Moreno, njeriu që drejtoi Spanjën drejt kualifikimit, njëkohësisht miku i ngushtë i teknikut Enrique, u largua pa thënë asgjë dhe kjo e ka një shpjegim. Luis Enrike i vendosi kushtin Federatës Spanjolle që në krye të stolit të qëndrojë vetëm njëri mes tyre.
Kjo bëri që Moreno të shkarkohej pak orë përpara ndeshjes me Rumaninë për t’i hapur rrugën Enriques.
Veprimi u konsiderua i turpshëm nga shumë futbollistë të Spanjës që reaguan, sikurse portieri Casillas. Ish-trajneri Moreno pati deklaruar se ishte gati të bëhej sërish zëvendës në momentin që Enrique do të kthehej, por kjo mënyrë e të vepruarit, me gjasa i ka dhënë fund një miqësie të vjetër mes tyre.
Robert Moreno ka dhënë një deklaratë të shkurtër paraditen e kësaj të enjteje. Moreno megjithatë nuk dha një arsye se përse nuk do të jetë më as në stafin e Luis Enriques si zëvendës duke ia kaluar topin ish-trajnerit të Barcelonës.
“Nuk dua të merrem me qortime, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Pyesni Luis Enriquen. Nëse unë flas, kjo nuk do të ishte e mirë për mua”, u shpreh Moreno.
Luis Enrique do të prezantohet përpara mediave javën e ardhshme më datë 27 nëntor dhe ai me siguri do të thotë diçka më shumë për largimin e Robert Morenos.