Sport Kluivert tha se do të pendohet pse zgjodhi Juve, De Ligt nuk...

Kluivert tha se do të pendohet pse zgjodhi Juve, De Ligt nuk ia përton me përgjigjen

Mbrojtësi Matthijs de Ligt tha se nuk pendohet pse zgjodhi Juventusin për ta vazhduar karrierën, pas shkëlqimit me Ajax. Kjo është përgjigje direkte për patriotin e tij, Patrick Kluivert, i cili sugjeroi para dy ditësh se 21-vjeçari duhej të kishte zgjedhur Barcelonën. Drejtori i akademisë së Barcelonës, Kluivert, deklaroi se “i vjen keq që mbrojtësi kaloi te Juventusi”, duke lënë të kuptohet se do të pendohet.

“Nuk më vjen keq për faktin që jam transferuar te Juventusi, – saktësoi De Ligt për “Voetbal Primeur”. – Janë duke u thënë dhe shkruar shumë gjëra. Nëse një person si Kluivert e thotë diçka të tillë, mund të duket e vërtetë, por në të vërtetë është vetëm një supozim i tij”.

Juventusi do të kthehet në veprim kundër Atalanta, të shtunën, pas pushimit për shkak të kualifikueseve të kombëtareve. Bardhezinjtë do të kërkojnë të mbeten të pamposhtur në Serie A, këtë sezon, ndërsa mbrojtësi hollandez të “kolaudohet” edhe më në klubin e ri, sidomos sa i përket prekjes së topit me dorë, që të evitojë penalltitë ndaj të tijve.