Klubet e kampionatit anglez rrezikojnë të humbasin 1,3 miliardë euro për shkak të emergjencës së shkaktuar nga koronavirusi, ndërsa mungon akordi për uljen e pagave të futbollistëve.
Në video-konferencën e zhvilluar me kapitenët dhe trajnerët e skuadrave të Premier League, u sqarua përse klubet kërkojnë që futbollistët të pranojnë uljen e pagave. Marrëveshja nuk u arrit, me Ligën e Futbollit në Angli që njoftoi se bisedimet do të vijojnë, edhe sepse nëse kampionati nuk rifillon, humbjet do të jenë kolosale.
Nga shifra 1,3 miliardë euro që klubet elitare rrezikojnë të humbasin, 865 milionë euro janë paratë që duhet t’i kthehen mbrapsht transmetuesve zyrtarë të ndeshjeve. Sipas përllogaritjeve, pjesa më e madhe e kësaj shifre do të mbulohej nga ulja 30 përqind e pagave të yjeve të futbollit që luajnë në ishull.
Pjesa tjetër e humbjeve lidhet me sponsorizimet apo edhe pagat që klubet duhet t’u paguajnë punonjësve të tjerë në këtë periudhë krize të thellë. Futbollistët janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë, por situata lidhet edhe me taksat. Në këtë rast, kur pagat janë më të ulëta, të tilla janë edhe taksat që paguhen, duke shkaktuar afro 250 milionë euro humbje për arkat e shtetit.
Shifra do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në sistemin shëndetësor në Angli, që aktualisht rrezikon kolapsin prej numrit të lartë të të prekurve nga Covid-19. Në këtë situatë, futbollistët kërkojnë që në vend të uljes së rrogës, të shqyrtohet mundësia e pezullimit të pagesave. Gjatë këtyre muajve, klubet nuk do t’i paguajnë detyrimet kontraktuale, me detyrimin që shlyerja të bëhet vetëm pasi kriza të jetë kaluar.
Shoqata e Futbollistëve kërkon gjithashtu rritjen e kontributit prej 25 milionë eurosh i akorduar nga Liga e Futbollit për personat që po përballen me emergjencën.