E mërkura shënon rinisjen e shumëpritur të Premier League. Edhe pse ndeshja hapëse, ndërmjet Aston Villa dhe Sheffield United nuk është maksimumi i spektaklit, e rëndësishme është që kampionati anglez rikthehet pas pauzës 3-mujore për shkak të Covid-19.
Nëse koronavirusi nuk do të ekzistonte, Liverpool do ta kishte festuar titullin prej javësh. Skuadra e Klopp ka grumbulluar 82 pikë pas 29 ndeshjeve, duke krijuar diferencë me 25 pikë nga Manchester City. “Citizens” zbresin në fushë mbrëmjen e së mërkurës për sfidën me Arsenalin. Nëse ekipi i Guardiolës mposhtet, Liverpool do të shpallej kampion prej së dielës, duke fituar në derbin ndaj Everton.
Për shkak të emergjencës shëndetësore, “Reds” do të detyrohen që titullin e parë në 30 vjet ta festojnë vetëm në dhomat e zhveshjes, edhe pse klubi ka premtuar një paradë për tifozët, sapo të jetë e lejueshme.
Përsa i takon rikthimit të ekipeve në fushë, ndryshimet janë të shumta. Rregullat higjienike në Premier League janë më strikte sesa në Gjermani. Në fusha nuk do të ketë fëmijë për të kapur topat, ndërsa futbollistët dhe stafet teknike do t’i nënshtrohen rregullisht testeve të koronavirusit.
Risi është transmetimi në televizion i të gjitha ndeshjeve të mbetura, plot 92 të tilla. Madje, 4 prej tyre do të transmetohen pa pagesë nga BBC, me kampionatin që kthehet në emitentin shtetëror për herë të parë prej vitit 1988.
Ndeshjet do të shpërndahen përgjatë gjithë javës, ndërsa 12 takimet e para do të nisin me një minutë heshtje në nder të viktimave të koronavirusit dhe sportistët do të mbajnë bluza kundër racizmit.
Mes masave mbrojtëse, lojtarëve u ndalohet të kontestojnë arbitrin apo të festojnë së bashku. Shënimi i golave duhet festuar në kamerat e dedikuara në fushë, në mënyrë që edhe tifozët nga shtëpia t’i përjetojnë emocionet njësoj sikur të jenë në tribuna.