Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, vendi i të cilit ka marrë Presidencën e BE-së, tha se synim kryesor do jetë hapja e negociatave me Tiranën e Shkupin.
“Ne do të këmbëngulim për këtë. Ne shkojmë në mënyrë ambicioze në samitin e Zagrebit, me qëllimin e qartë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore”, tha Plenkoviç.
“Një Evropë e fortë në një botë sfidash”, është slogani që Kroacia ka zgjedhur për Presidencën e saj.
Suksesi pritet të testohet në maj, kur në Zagreb do ketë një samit, e aty do merret vendimi mbi negociatat.
Më 1 janar, Kroacia mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian nga Finlanda, gjashtë vjet e gjysmë pas hyrjes në union.
Fillimi i presidencës kroate do të bëhet zyrtarisht më 9 janar, kur anëtarët e Komisionit Europian do të shkojnë në Zagreb dhe kur një koncert me atë rast do të mbahet në Teatrin Kombëtar Kroat.
Një koncert do të mbahet gjithashtu në Bruksel më 15 janar për të shënuar fillimin e presidencës kroate dhe kjo do të përkojë me përvjetorët e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë, më 15 janar 1992.
Më 9 janar Zagrebi do të presë një takim të Komisionit Europian nën kryesimin e presidentes, Ursula von der Leyen.
Presidenca e BE-së shihet si një mundësi edhe për ta bërë shoqërinë kroate më të ndjeshme ndaj temave të unionit.
Programi i presidencës së saj në BE bazohet në katër shtylla: Një Europë që po zhvillohet; Një Europë që po lidhet; Një Evropë që po mbron dhe një Evropë me ndikim.