Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, në një mesazh të shpërndarë në rrjetin e tij social, Facebook, ka dhënë detaje lidhur me manifestimin e lajmëruar për datën 2 Mars.
Blushi ka bërë thirrje për shmangien e dhunës apo të incidenteve, teksa shkruan se pranohen vetëm flamujt kuqezi e jo ata partiakë, por edhe lulet e mimozës.
Blushi, në emër të Presidencës, shkruan se ky është Manifestim, jo për dhunë ndaj institucioneve, por kundër dhunës sistematike që një grup puçistësh ushtrojnë ndaj Kushtetutës dhe të drejtave tuaja kushtetuese.
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta, ka dalë sërish këtë paradite me një tjetër mesazh për gjithë shqiptarët, ndërkohë që ndajnë fare pak ditë nga data 2 mars, përcaktuar nga ana e kreut të shtetit si dita e besëlidhjes.
Me anë të një videomesazhi, teksa ndodhet në zyrën e tij, Presidenti Meta shpreh padurimin për t’u bashkuar me qytetarët në manifestimin e 2 marsit.
“Të dashur qytetarë, i paduruar për tu bashkuar edhe unë me ju më 2 mars, për pranverën kuqezi”, thotë Presidenti Meta, duke ngritur dy gishtat lart.