Presidenca reagoi pas përfundimit të konferencës për “Sfidat e prokurorisë dhe Reforma në Drejtësi”, ku e pranishme ishte edhe ministrja Etilda Gjonaj.
Përmes zëdhënësit të Presidentit thuhet se sot pritej që prokuroria të vepronte ndaj saj pas kallëzimit të kreut të shtetit, por ajo ishte pjesë e “frontit të Ramaformës”.
Në reagim thuhet se pandëshkushmëria, padrejtësia dhe pafytyrësia kanë arritur majat dhe paralajmëroi që herë tjetër do të mblidhen më shumë shqiptarë seç ishin në manifestimin e 2 Marsit.
“Tallja me Reformën në Drejtësi dhe bërja e ligjeve puçiste anti-kushtetuese pati meritë të madhe për të mbledhur kaq shumë shqiptarë kundër grushtit të shtetit, ku Ministrja e Drejtësisë, siç është provuar nga shkresat zyrtare, akuzohet për 4 vepra penale. Ndërsa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte ndaj saj, sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë duke qenë edhe krenare! Pandëshkueshmëria, Padrejtësia dhe Pafytyrësia kanë arritur majat! Herën tjetër do mblidhen shumë herë më shumë se dje, shqiptarë të ndershëm dhe me dinjitet, që s’mund të pranojnë këtë Kryemaskaradë! Turp! Shame on you”, shkruhet në reagimin e zëdhënësit të Metës.
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim. Pas manifestimit të djeshëm, ambasadorja u distancua nga përdorimi i flamurit amerikan nga kreu i shtetit.