Presidenti italian Sergio Mattarella ftoi për herë të parë italianët që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria për frenimin e epidemisë së koronavirusit.
“Italia po kalon një moment veçanërisht të vështirë dhe po e përballon në mënyrë të përgjegjshme, me transparencë të plotë. Qeveria ka vendosur një seri masash lidhur me sjelljen e përditshme. I ftoj të gjithë të zbatojnë me kujdes këto masa, edhe nëse modifikojnë disa zakone të jetesës”, deklaroi Mattarella.
Mesazhi i presidentit vjen ndërsa qeveria po vlerëson nëse do të zgjasë përtej 15 marsit mbylljen e shkollave dhe universiteteve. Numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali është gati 3300, me 590 raste të reja dhe 42 viktima të shënuara në një ditë të vetme. Në total, 148 vetë kanë humbur jetën deri më tani, por ka edhe shumë të shëruar: 414.
Përveç shkollave e aktiviteteve publike, po vlerësohet edhe pezullimi i seancave jo urgjente në gjykatat e të gjithë vendit. Zbatimi i masave dhe rekomandimeve të qeverisë vlerësohet si tejet i rëndësishëm për tejkalimin e krizës.
Thirrjes së krerëve të shtetit u bashkohet edhe një grup shkencëtarësh, që u kërkojnë qytetarëve t’u përmbahen rregullave, edhe nëse ato mund të krijojnë vështirësi. Situtata po prek rëndë ekonominë italiane, ndërsa turizmi është ai që po vuan më shumë. Rrugët e qyteteve si Roma e Napoli janë tashmë të zbrazura nga turistë, e pranë atraksioneve të shumta, radhët e gjata janë thjesht një kujtim.