Qyteti i Napolit i ka bërë Diego Armando Maradonës nderimin më të madh zyrtar, duke e shpallur “Qytetar nderi” legjendën argjentinase.
Për të marrë pjesë në një ceremoni kaq domethënëse, ishin të ftuar të gjithë emrat më të rëndësishëm të futbollit të Napolit.
Por në këtë festë ka munguar pikërisht ai që rriti legjendën e Maradonës te Napoli, ish-presidenti Korrado Ferlaino, i cili bleu argjentinasin në vitin 1984 duke hapur ciklin më të suksesshëm të historisë së kësaj skuadre.
Shumëkush ka pyetur pse Ferlaino nuk ishte i pranishëm dhe mediat italiane e kanë telefonuar pasi dyshonin se mos atij nuk i ishte dërguar një ftesë meqë vitet e fundit ka qenë disa herë nën hetim për evazion fiskal, raporton PanoramaSport.
“Nuk do të jem në shesh, jam në barkë me disa miq në Shqipëri, në Vlorë. Do të kisha shkuar në një datë tjetër, por i cilësoj të shenjta pushimet e mia”, shpjegoi Ferlaino për mediat italiane, duke zbuluar kësisoj se po kalonte këto ditë të nxehta vere në bregdetin shqiptar.