Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin më 3 dhe 4 shkurt.
Në një deklaratë, ai komenton çështjen e negociatave të anëtarësimit dhe shpreh mbështetjen e Parlamentit Europian për dritën jeshile ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Të dyja vendet kanë bërë progres të madh, në linjë me pritshmëritë tona”, shprehet Sassoli.
Kreu i Parlamentit Europian konfirmon se do të bëjë gjithçka për të bindur shtetet anëtare që janë akoma skeptike, në mënyrë që të çelen negociatat e anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin në Samitin e Zagrebit.
Sassoli, ndër të tjera i bën thirrje qeverisë shqiptare që ta përdorë këtë kohë për të adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu, thekson solidaritetin e tij për Shqipërinë që po kalon një situatë të vështirë për shkak të tërmetit.