Vendimi i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë, në të cilën janë anëtarë 450 gjyqtarë futbolli, i ka vënë drynin 200 fushave sportive ku do të zhvilloheshin ndeshjet në këtë fundjavë.
18 mijë futbollistët që do të zbrisnin në fushë, janë me sytë nga takimi i ditës së hënë mes federatës shqiptare të futbollit dhe organeve qeveritare garante për sigurinë, për të mësuar nëse policia do të rikthehet ose jo në stadiumet tona.
Një kërkesë bazike kjo jo vetëm për sigurinë por edhe për ndershmërinë e garës, sipas Presidentit të Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati. Në një intervistë për Top Channel, ai tregon pasojat e mungesës së policisë në stadiume dhe impakti që kanë tek arbitrat dhe gjykimi.
“Nëse nuk ka polici në stadiume, as arbitri nuk mund të marrë vendime të drejta dhe mund të kompromentojë garën”, tha Kastrati.
Ndeshjet e para që priten të zhvillohen sipas kalendarit, janë ato të Kupës së Shqipërisë, ditën e mërkurë, të cilat mbeten në varësi të takimit të së hënës.
“Në rast se nuk do të rikthehet policia, bojkoti do të vazhdojë. Ne vijmë nga një sistem totalitar, ku vetëm polici mund të mbajë rendin dhe sigurinë”, deklaroi Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë.