Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë një ditore në komunën e Medvegjës në Serbi.
Në pikën kufitare të Mutivodës, Presidenti Meta u prit nga kryetari i trupës koordinuese për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, z.Zoran Stankoviç, kryetari i komunës së Medvegjës, Nebojsha Arsiç, nënkryetarja e Komunës së Medvegjës, Leme Xhema, këshilltarë shqiptarë të kësaj komune si edhe nga dhjetëra shqiptarë.
Në pritjen e ngrohtë që iu bë nga shqiptarët dhe drejtuesit vendorë, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se “kjo është një ditë shumë e bukur për mua. Ndihem i emocionuar që ndodhem sot pranë jush. Politika duhet t’iu kushtojë më shumë vëmendje shqiptarëve këtu dhe këtyre zonave. Shpresoj që kjo vizitë e imja të kontribuojë në këtë drejtim. Nga Medvegja dua të theksoj se e ardhmja e popujve tanë dhe e të gjithë rajonit është në Bashkimin Europian dhe kjo mund të realizohet vetëm duke bashkëpunuar më ngushtë me njëri-tjetrin”.
Në takimet me drejtuesit lokalë dhe shqiptarët që banojnë në këto troje, ai tha se ka ardhur një kohë e re bashkëpunimi mes shqiptareve dhe serbeve./tvklan.al