Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim në Zagreb me homologun kroat, Zoran Milanoviç.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Begaj u shpreh se forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, agjenda e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe zhvillimet rajonale, ishin disa nga çështjet që diskutuan.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç nga ana e tij tha se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt. Sipas tij, Serbia është në pozitë politike skizofrenike që ka fantazi për raportet me Rusinë.
“Sa i përket Kosovës, është një realitet. Disa vende nuk e kanë pranuar por nuk dinë ta arsyetojnë qëndrimin e tyre. Ndonjëherë është e mirë, ndonjëherë e rrezikshme. Shprehitë janë të ndryshme, Kroacia e ka pranuar Kosovën. Ky është një realitet. Do bëjmë çdo gjë që mundemi dhe asnjëherë me synimin e provokimit të Serbisë por që t’i ndihmojmë. Nuk duhet vlerësuar çfarë është në interesin e Serbisë, por realiteti është që Kosova është vend i Europës dhe Serbia gjendet në një pozitë politike skizofrenike. Në një anë kanë fantazi për raportet me Rusinë, me të cilën Serbia është etiketë e vogël. Raportet duhet të drejtohen në rrugën e duhur që nuk është drejt greminës por do ta bëjë edhe Serbinë më mirë. E di çfarë është interesi ynë e i Shqipërisë, normalizimi i marrëdhënieve. Kosova është në rrugë të mirë”, tha Milanoviç.