Ekonomi Rënia e euros, Ibrahimaj: Nuk lidhet me zgjedhjet, por me tre faktorë...

Rënia e euros, Ibrahimaj: Nuk lidhet me zgjedhjet, por me tre faktorë të tjerë

Megjithëse në ekonominë shqiptare qarkullon para informale, rënia e euros nuk është efekt i zgjedhjeve të 14 Majit. Për ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, zhvlerësimi i monedhës europiane lidhet me tre faktorë të tjerë.

“Zhvlerësimi i Euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë këtij viti. Po ashtu investimet e huaja direkte janë rritur në neto dhe kjo ka qenë një tjetër arsye. Flukset hyrëse kanë qenë në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja”, u shpreh Ibrahimaj.

Teksa njoftoi një tryezë diskutimi me bizneset eksportuese që po rezultojnë më të prekurat nga rënia e euros, Ibrahimaj paralajmëroi se pjesa tjetër e sipërmarrjeve do duhet ta mbajnë mbi supet e tyre peshën e luhatjes së kursit të këmbimit.

“Ka disa kompani që fitojnë dhe disa që humbin dhe kjo është pjesë e riskut të të bërit biznes. Kompanitë që kanë pasur humbje janë ato që kontratat i kanë lidhur shumë kohë më parë, para se të ndodhte zhvlerësimi i euros. Ne analizojmë me kujdes çdo lëvizje. Kursi i këmbimit nuk afekton vetëm kompanitë eksportuese. Normat e interesit të kredive në euro kanë bërë që euroja të bëhet atraktive. Analiza bëhet në të gjithë fushat”, theksoi ministja.

Euro ra të mërkurën në nivelet më të ulëta historike duke u këmbyer me vetëm 110.98 lekë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë.