Presidenti Ilir Meta vlerëson dy legjenda të basketbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Luan Shatkun dhe Agim Lahin të cilët kanë spikatur edhe duke mbajtur veshur fanellën e kombëtares në kohën që janë aktivizuar. Shatku e ka nisur karrierën te Vllaznia, për të luajtur më pas edhe me Partizanin. Edhe Lahi ka qenë pjesë e këtyre dy skuadrave, përveçse me 17 Nëntorin dhe Studentin.
“Përherë nder dhe kënaqësi të vlerësoj personalitete të shquara të cilët me punën, talentin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme të tyre kanë ngritur lart vlerat tona kombëtare dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe në shoqërinë shqiptare, duke u kthyer në burim frymëzimi për brezat e rinj.
Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e basketbollit shqiptar, duke përfaqësuar denjësisht fanellat e ekipeve të tyre dhe flamurin kuq e zi në arenat ndërkombëtare, dekorova dy sportistë të mëdhenj, intelektualë të dalluar e qytetarë shembullorë, Luan Shatku dhe Agim Lahi.
Luan Shatku dhe Agim Lahi përfaqësojnë dy personalitete të shquara, jo vetëm në fushën e sportit por edhe dy pedagogë të nderuar me kontribute të shkëlqyera intelektuale.
Mirënjohje për gjithçka i kanë dhënë sportit dhe shoqërisë shqiptare, si dy modele të shkëlqyera të profesionalizmit, kulturës dhe angazhimit qytetar”, shkruan presidenti Meta në rrjetet sociale.