Presidenti Donald Trump njoftoi synimin për të emëruar zonjën Yuri Kim nga Guami si ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e SHBA në Shqipëri, tha Shtëpia e Bardhë në faqen e saj zyrtare.
Zonja Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe Ankara.
Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo mban gradën B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Master of Philosophy nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet gjuhët koreane, kineze, japoneze dhe turke.
Të emëruarit në postet ambasadoriale duhet të konfirmohen nga Senati.