Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi ashpër një prej kritikëve të tij demokratë, i cili po vë në veprim një komision të fuqishëm të Kongresit për të hetuar financat e tij personale.
Presidenti Trump tha se veprimet e Kryetarit të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff përbëjnë ngacmime ndaj presidentit dhe dëmtojnë vendin.
“Një mrekulli ekonomike po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe e vetmja gjë që mund ta ndalë janë luftërat pamend, politikat ose hetimet partiake qesharake”, tha Presidenti Trump.
Ndërkohë, një komision i Dhomës së Përfaqësuesve mban të enjten një dëgjesë mbi çështjen e taksave të presidentëve, një hap i parë i një procesi që mund ta bëjë komisionin e drejtuar nga demokratët të hetojë taksat e Presidentit Donald Trump.
Muajin e kaluar, demokratët u shndërruan në parti shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po fillojnë një numër hetimesh në nivel komisionesh për të shqyrtuar interesat financiare të zotit Trump si dhe për të parë nëse ato mund të motivojnë vendime të caktuara politike të tij.
Taksat janë konfidenciale, por sipas ligjit, kryetari i Komisionit për Tatimet ka autoritetin për shqyrtuar taksat e kujtdo.
Zoti Schiff tha se komisioni do të vazhdojë të shqyrtojë veprimet e Rusisë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe kontaktet midis ekipit të fushatës Trump dhe Moskës, por tani do të hetojë gjithashtu “nëse ndonjë aktor i huaj është përpjekur të kompromentojë ose të ketë ndikim financiar mbi zotin Donald Trump, familjen, biznesin, ose bashkëpunëtorët e tij.”
Komisioni i zotit Schiff votoi gjithashtu të mërkurën për t’i dërguar hetuesit të posaçëm Robert Mueller më shumë se 50 intervista të zbardhura të komisionit lidhur me hetimin për Rusinë.