Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shkojë të enjten në kufirin jugor me Meksikën si pjesë e fushatës së tij për të fituar mbështetje publike për ndërtimin e një muri, mosmarrëveshjet për të cilin kanë çuar në një mbyllje të pjesshme të agjencive qeveritare. E enjtja shënoi ditën e 20-të të mbylljes së qeverisë.
Të mërkurën, gjatë një takimi të Shtëpinë e Bardhë demokratët e kundërshtuan sërish kërkesën e vazhdueshme të zotit Trump për një shumë prej mëse 5 miliardë dollarësh për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Ndërkohë demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë shtesë për të financuar të tjera aspekte që lidhen me sigurinë kufitare, siç janë vendosja e sistemeve të vëzhgimit të një teknologjie të lartë.
Nënpresidenti Mike Pence akuzoi demokratët se nuk janë të gatshëm të negociojnë, duke shtuar se presidenti do të qëndrojë i vendosur për t’i vënë fre krizës në kufirin jugor, siç e quajti ai.
Sipas njoftimeve, zoti Trump po shqyrton mundësinë e shpalljes së situatës së emergjencës kombëtare në kufirin jugor, për të anashkaluar Kongresin dhe siguruar fondet për ndërtimin e murit.
QEVERIA, ENDE PJESËRISHT E MBYLLUR
Të mërkurën, bisedimet për rihapjen e qeverisë hynë përsëri në rrugë pa krye, pas një takimi që Presidenti Donald Trump pati në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit demokratë të Kongresit.
Në një koment në Twitter, Presidenti i quajti “një humbje e plotë kohe” bisedimet me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësin e demokratëve të Senatit, Chuck Schumer.
Ai tha se dy demokratët i ishin përgjigjur me një “jo” kur ai i kishte pyetur nëse ishin gati të financonin një barrierë kufitare brenda një muaji, nëse ai binte dakord t’i jepte fund mbylljes së qeverisë.
Senatori Schumer tha se Presidenti ishte larguar papritur nga salla e takimit dhe e quajti këtë diçka “vërtet për të ardhur keq.”
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy palëve për fondet e sigurisë kufitare, një e katërta e qeverisë federale ka mbetur e mbyllur që nga 22 dhjetori.
Presidenti Trump thotë se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”. Nga ana e tyre demokratët ngulin këmbë se mbyllja e qeverisë po vazhdon vetëm për shkak se presidenti Trump refuzon të heqë dorë nga kërkesa prej 5.7 miliardë dollarësh për një mur në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Të mërkurën Presidenti Trump tha se republikanët janë “krejtësisht të bashkuar” në çështjen e ndërtimit të murit kufitar, ndonëse disa ligjvënës republikan kanë shprehur shqetësim për mbylljen e pjesshme të qeverisë.
Pas një takimi në selinë e Kongresit me republikanët e Senatit, Presidenti tha se nuk pati “asnjë diskutim tjetër përveç solidaritetit”.
Ndërkohë, si pasojë e mbylljes së pjesshme të qeverisë, rreth 800 mijë punonjës federalë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi ose të punojnë pa pagesë. /VOA