Nga samiti në Slloveni, Presidentja e Komisionit Europian, Usrula von der Leyen, është shprehur se duhet menduar seriozisht për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, von der Leyen tha se “Bashkimi Europian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”.
“Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera”, u shpreh Presidentja e KE.
Më tej tha se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë shumë reforma dhe se duhet ende punë në sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Mesazhe pro integrimit dha dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhyei, i cili u shpreh se BE duhet të mbajë fjalën që ka thënë.