80% e qytetarëve të Madridit do të infektohen nga koronavirusi, tha presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso. “Do të kenë simptoma të lehta”, tha ajo, por shtoi se shifra do të ishte gjithsesi një problem për shtresat e brishta të popullsisë, që përbëjnë rreth 15% të banorëve të kryeqytetit spanjoll.
“Virusi ka kohë që ka mbërritur në Spanjë dhe praktikisht do të na prekë të gjithëve, por nuk do të ketë pasoja për pjesën dërrmuese prej nesh”, tha Díaz Asuyo në një intervistë radiofonike.
Ajo e quajti Covid-19 një sëmundje “vdekjeprurëse” për të moshuarit dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese, duke shtuar se ata që futen në këto kategori mund të humbin jetën 24 deri në 48 orë pasi të jenë infektuar.
Spanja numëron deri më tani mbi 17 mijë raste të konfirmuara dhe 767 të vdekur nga koronavirusi.