Bota Kardinali katolik: Virusi është prodhuar nga një vend i pasur, përgjegjësit të...

Kardinali katolik: Virusi është prodhuar nga një vend i pasur, përgjegjësit të dënohen për gjenocid

“Disa nga viruset për të cilët flasim këto ditë janë rezultat i eksperimenteve të paskrupullta në laboratorët e disa vendeve të pasura. Përgjegjësit duhet të dënohen për gjenocid.”

Nuk është teoria e një prej shumë komplotistëve që mbushin rrjetet sociale pas përhapjes së koronavirusit, por mendimi i një prej figurave më të rëndësishme të kishës katolike, kardinalit Malcom Ranjith.

I shkolluar në Romë, poliglot i shkëlqyer i 10 gjuhëve (singaleze, tamil, greqisht, hebraisht, latinisht, italisht anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht) shpesh herë ambasadori i Selisë së Shenjtë në vende problematike, pjesë e anës konservatore të Kishës katolike, kardinali i Sri Lankës nuk sheh asgjë të natyrshme në një virus si koronavirusi, që në pak javë u përhap në të gjithë globin.

Kardinali mendon se “këto eksperimente nuk ndodhin në vende të varfra, por në laboratorët e vendeve të pasura. Të prodhosh diçka të tillë është një krim ndaj njerëzimit, dhe duhen ndaluar. I lutem Zotit të na tregoi se kush është përgjegjës”.

Edhe pse deri më tani nuk ka asnjë provë për një origjinë njerëzore të virusit, vetë qeveritë nuk kanë bërë shumë për të mos furnizuar tezat e komplotit me material. Jo më larg se disa ditë më parë, zyrtarë nga Ministria e Jashtme Kineze akuzuan ushtarë amerikanë si shkak të përhapjes.