Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen foli me tone shumë pozitive për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duke folur për median gjermane, “Der Spiegel”, ajo thekson se mbështet plotësisht perspektivën e integrimit për Tiranën dhe Shkupin.
“Ne duhet të hapim negociatat e anëtarësimit me këto vende, sapo Këshilli Europian të dalë në konkluzionin se kushtet janë plotësuar. Ne duhet t’iu shtrijmë dorën këtyre shteteve, pasi ndajmë të njëjtin kontinent, dhe të njëjtën histori, pasi jemi fqinj dhe nëse ne e mbyllim derën për këtë rajon, përfundojmë duke dëmtuar vetveten”, u shpreh Ursula Von Der Leyen.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin një përgjigje pozitive nga liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave në tetor të këtij viti. Që prej qershorit të 2018-ës, Komisioni Europian rekomandoi ndërmarrjen e një hapi të tillë, pasi kushtet ishin plotësuar. Por disa vende të Unionit refuzuan të aprovonin hapjen e negociatave për shkak të shqetësimeve lidhur me emigrimin e qytetarëve, mos përfundimin e reformave dhe zhvillimet politike në Tiranë dhe Shkup.