Franca ka ushtruar presion diplomatik ndaj Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera për të përshpejtuar proceduarat e deportimit të shtetasve të cilëve u refuzohet azili. Fakti zbulohet nga një investigim i televizionit francez France 24 që thotë se deportimi është një proces i gjatë dhe i kushtueshëm.
Shpesh herë vështirësia lidhet me refuzimin e shtetasve për të bashkëpunuar me autoritetet apo ngadalësia e personelit konsullor të vendeve të origjinës për të plotësuar dokumentet e nevojshme për të deportimin e detyruar.
Sipas televizionit France 24, kjo çështje është kthyer në një përparësi për presidentin Emmanuel Macron, i cili nga ana tjetër i ka kërcënuar disa vende me kundërmasa në rast se nuk bashkëpunojnë.
“Unë kam emëruar një ambasador të posaçëm përgjegjës për imigracionin dhe negociatat me shtete të ndryshme dhe u kam thënë të gjitha vendeve: Unë nuk do të jap më viza”, citohet Macron-i.
Franca është vendi i BE-së ku shqiptarët kanë paraqitur numrin më të lartë të kërkesave për azil. Sipas Agjencisë Europiane për Mbështetjen e Azilit, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, 1835 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Francë.
Në përgjithësi Franca është vendi që merr më shumë kërkesa për azil se çdo anëtar tjetër i Bashkimit Europian. Vitin e kaluar autoritet morën gjithsej 133 mijë kërkesa për azil, 7.3 për qind më shumë nga një vit më parë. Në rritje janë gjithashtu deportimet e detyruara të të huajve të cilëve u është refuzuar leja e qëndrimit.
Kjo çështje risillet në vëmendje vetëm dy javë nga vendimi i Këshillit Europian për bisedimet e pranimit. Tetorin e kaluar, kur ky vendim u bllokua me veto nga Franca, një prej çështjeve të cilave iu referua presidenti francez Macron ishte edhe numri i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria.