Aktualitet Presione qytetarëve, arrestohen dy nënkomisarë dhe një avokat në Fier

Presione qytetarëve, arrestohen dy nënkomisarë dhe një avokat në Fier

Dy nënkomisarë dhe një avokat janë arrestuar në Fier pasi akuzohen se nëpërmjet skemës së mashtrimit, realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.

Në kuadër të operacionit “Mashtruesit”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, pas disa muaj hetimesh pro-aktive, vunë në pranga 29-vjeçarin K.Xh., me profesion Avokat, dhe 2 nën/komisarët M.H., 32 vjeç dhe E.M., 34 vjeç, të dy specialistë krimesh pranë Komisariatit të Policisë Fier;

Tre të arrestuarit përballen me akuzat “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre, në bashkëpunim”.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, të cilët janë bërë pre e kësaj skeme mashtrimi, të depozitojnë kallëzimet e tyre pranë dy institucioneve SHÇBA dhe Prokurori.