Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të jashtëzakonshme, ka deklaruar se gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që prej datës 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë ndaj Serbisë, ndërsa ka vënë edhe disa kushte.
“Pas takimeve me sipërmarrësit vendas dhe prodhuesit tanë dhe leximit të analizës së reciprocitetit, e punuar nga Ministria e Ekonomisë. Kam ardhur tek ky qëndrim. Si Qeveri e Kosovës gjatë javës së ardhshme do të marrim vendim që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kjo si shenjë e mirë”, tha Kurti.
“Ftojmë Serbinë që të zotohet se do të ndërpres fushatën për çnjohje dhe të nis eliminimin për barrierat ndaj Kosovës. Nëse pala serbe zotohet për këtë, atëherë duke filluar nga data 1 prill Qeveria e Kosovës do të tërheq tërësisht tarifën në një periudhë prej 90 ditësh. BE të liberalizojë vizat para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk i heq barrierat dhe nuk pushon fushatën e çnjohjes, atëherë qeveria do të nis prej datës 1 prill reciprocitetin gradual. Nëse pala serbe nuk reflekton as pas kësaj atëherë, Qeveria e Kosovës nga data do të rikthej tarifën”, shtoi Kryeministri i Kosovës.
Presioni amerikan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaronte se kërkesa për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe nuk duhej të vonohet. Nga ana tjetër, i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell pati paralajmëruar më herët se “nëse tarifa nuk hiqet deri në fund të kësaj jave, atëherë gjërat mund të përshkallëzohen”.
Haradinaj: Albin mashtruesi u dorëzua para Serbisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka sulmuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për taksën ndaj Serbisë.
“Sonte Albin mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.