Të gjithë votuesit, për të vërtetuar që e kanë përfunduar procesin e votimit, lyejnë gishtin me bojë të përkohshme. Por ky votues në Indi e preu fare, ngaqë kishte votuar për partinë e gabuar në zgjedhje.
Në një video që tani është bërë virale, ai thotë se ishte ngatërruar nga simbolet e shumta në makinerinë elektronike të votimit, dhe në vend që të votonte për një parti të rajonit të tij, kishte votuar për partinë në pushtet.
“Në vend që të zgjidhja elefantin, zgjodha zambakun”, thotë ai, duke iu referuar logove të partive përkatëse.
Në disa zona të thella të Indisë, ku niveli i analfabetizmit është shumë i lartë, imazhet e logove luajnë një rol tepër të rëndësishëm.
Votimi në Indi bëhet me shtatë faza, dhe numërimi pritet të mbarojë pas një muaji, pasi bëhet fjalë për 900 milionë votues, në zgjedhjet më të mëdha në planet.