Aktualitet Prezantimi i Dritan Demirajt me vartësit nis me kërcënimet për burg

Prezantimi i Dritan Demirajt me vartësit nis me kërcënimet për burg

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj i propozuar në këtë post nga Partia Demokratike zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë.

Mesazhi i parë që dha ministri për vartësit ishte përjashtimi i strukturave policore nga fushata e partive.

Në rast të kundërt, ligji parashikon burgun, citohet të ketë thënë Demiraj.

“Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Mospjesëmarrja dhe mospërfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore, si një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal. Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, u shpreh ai.

Çështja tjetër që Ministri Demiraj e trajtoi me shumë vëmendje ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit.

“Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”, tha ai.

Demiraj ka folur edhe për forcimin e sigurisë dhe rendit publik gjatë sezonit turistik.