Katër produktet e para të regjistruara si marka të mbrojtura kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë me karakteristikat e produktit, duke mundësuar kështu vendosjen e logos kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë prezantimit të këtyre produkteve dha garanci për vijimin e punës në certifikimin edhe të produkte të tjera që janë një vlerë e shtua për ekonominë rurale. “Do të vijojmë punën për të mbështetur dhe certifikuar edhe 40 produkte të tjera që janë identifikuar me potencial për tu regjistruar së shpejti”, tha ministrja.
Analizat ekonomike në Shqipëri tregojnë se konsumatorët janë të gatshëm që të paguajnë 30-50% më shumë për produktet që vijnë nga një zonë e identifikuar për cilësinë e veçantë të prodhimeve. Për produkte specifike si mjalti p.sh. kjo diferencë në çmim është edhe më e lartë.
“Me anë të këtyre skemave të cilësisë ne garantojmë mbrojtjen e të drejtave të grupeve të prodhuesve, informacionin e qartë lidhur me karakteristikat specifike të produktit, origjinën, metodën e prodhimit, duke mundësuar kështu që konsumatorët të bëjnë zgjedhje më të informuara, ruajmë larminë e prodhimit bujqësor dhe blegtoral të zonës bashkë me traditën, si dhe garantojmë cilësinë e produktit sipas specifikimeve të tij si edhe kontribuojmë në rritjen e të ardhurave për prodhuesit, përmes çmimit më të lartë krahasuar me produkte të ngjashme në të njëjtën kategori ushqimore”, tha Krifca.
Ministrja solli në vëmendje se vitet e fundit në Shqipëri, produktet tradicionale kanë filluar të njihen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët. “Për më tepër, zhvillimi i agroturizmit si një trend i qëndrueshëm ka ndikuar në zhvillimin dhe promovimin e produkteve tradicionale, duke krijuar një lidhje natyrore midis agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas”.
“Ato janë edhe në themel të krijimit të një aparati ekonomik të diversifikuar, i cili prodhon vlerë përmes cilësisë dhe dijes duke i ofruar konsumatorit jo vetëm produktin por edhe një copëz të natyrës, atij territori, peisazhit, klimës, tokës, traditës dhe historisë së produktit. Këto produkte përfaqësojnë një pjesë të traditës sone ushqimore por edhe identitetit tone. Gjithashtu, ato kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, promovojnë fshatin dhe zonat me te thella rurale, mundësojnë punësim më të lartë direkt dhe indirekt, kontribuojnë në zhvillimin më të barabartë rajonal dhe rural, parandalojnë migrimet e popullsisë, si dhe mundësojnë mbrojtjen e njohurive dhe dijebërjen tradicionale”, theksoi Krifca.
Produkte të tjera të regjistruara si produkte të mbrojtura me Tregues Gjeografik që ne do të punojmë për t’i certifikuar janë edhe Gështenja dhe Mjalti i Gështenjës së Tropojës, Mjalti Gështenjës së Reçit, Boronica e Bjeshkëve të Tropojës dhe e Bjeshkëve Kuksiane, Jufka Dibrane, Mishi i Dhisë së Hasit, etj. Ndërkohe sot ne certifikojmë 4 produktet e para, të cilat janë regjistruar dhe kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë me karakteristikat e produktit duke mundësuar kështu vendosjen e logos kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg.
Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit”, Emërtim Origjine e Mbrojtur, është përdorur me këtë emër për më shumë se 100 vjet, por mendohet që ka një histori edhe më të hershme.
Është një produkt që përdoret për të respektuar mikun dhe për t’u ndjerë krenarë, i lidhur me traditën blegtorale të zonës dhe pozitën gjeografike, me temperatura të përshtatshme për ruajtje. Kullotat e Kelmendit janë të tipit alpin e subalpine me lartësi 1500 – 2400 m, mbi nivelin e detit, me specie kryesore gramore.
– Mjalti i Bedunicës, Përmet, Specialitet Tradicional i Garantuar, Eshtë lulja e Bedunicës, aq e rrallë, që ndodhet me shumicë në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, ajo që e bën këtë mjaltë kaq të vecantë me aromën, shijen dhe vecoritë e tij të rralla. Lulja e Bedunicës, është e vetmja lule që rritet në malin e Teprit, Gostivisht, Përmet në rreth 1500m mbi nivelin e detit.
Shumica e luleve të Bedunicës gjenden në zona malore që janë të vështira për t’u arritur. Bletët jetojnë në një zonë me bimësi krejtësisht të egër, dhe larg pemëve frutore, larg fshatit. SHBB “Mjalti i Bedunicës, Gostivisht”, aktualisht me 7 anëtarë, prodhon këtë lloj mjalti.
– Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (Specialitet Tradicional i Garantuar). Prodhohet nga qumështi i lopës i grumbulluar në zonën përrreth Malësisë së Madhe: Kastrat, Shkrel dhe Kelmendi i Poshtëm. Në llojin e tij më tradicional, produkti duhet të jetë marrë nga qumësht lope i sapomjelë, që vjen i papërpunuar në punishte. Produkti ka qenë rezervuar për mysafirë specialë dhe vetëm gratë e shtëpisë dinin ta përgatisnin dhe e trashëguan tek më të rejat. Antarët e grupit të prodhuesve dhe banorë të tjerë të zonës, dëshmojnë se në familjet e tyre djathi i ziem është përgatitur për më shumë se një shekull dhe gatuhej vetëm kur në shtëpi vinin mysafirë të rëndësishëm.
– Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (Specialitet Tradicional i Garantuar), prodhohet nga qumështi i freskët i dhive të Bulacit, të grumbulluar nga barinjtë që i mbajnë dhitë në bjeshkët e Runjës, gjë që i jep një aromë të veçantë të qumështit të bjeshkëve, si rezultat i sistemit kullosor dhe mënyrës tradicionale të përpunimit. Ekotipet vendase të dhisë janë krijuar ndër shekuj falë pasionit e punës së blegtorëve. Njihet, që në periudhën e Skënderbeut ka pasur rreth 3 000 krere dhi, që janë trashëguar përmes përzgjedhjes së vazhdueshme të gjeneratave dhe sot kemi ekotipe vendase që përbëjnë një pasuri të shkëlqyer gjenetike – tradicionale. Bjeshkët e Runjës 400 – 1 700 m lartesi, njihen për traditën qindravjeçare të mbajtjes së dhive në këtë territor.
Por ky zhvillim, vijoi ministrja, nuk mbaron këtu. “Tashmë po punojmë edhe me produktet e tjera krenari të historisë sonë të prodhimit bujqësor, përfaqësuesit e të cilëve i kemi këtu, si Vaji “Valm”, vaj i prodhuar me ullinjtë autoktonë të zonës së Elbasanit. Një model i krijimit dhe funksionimit të bashkimit të prodhuesve; Vaji i Ullirit të zonës së Tiranës, me ullinjtë autoktonë të zonës, një tjetër model suksesi i bashkimit dhe promovimit të produkteve të zonës, nga vëllezërit Allgjata, Vaj ulliri “Kalinjot”, ullinjtë autoktonë të Vlorës, Molla e Dvoranit, si një produkt me emërtim origjine të mbrojtur, në bashkëpunim me shoqatën ADAD Malore, Kumbulla e thatë e Dibrës, Glikotë e Përmetit, Domatja e Shëngjergjit, Gjeli i Detit i Baldushkut, etj”, tha Krifca.