Kryetari i PD Sali Berisha, e cilësoi procesin e primareve të zhvilluar sot në 56 bashkitë e vendit si vendosjen e një standardi të paparë më parë në Shqipëri, çka sipas tij, e bën sot PD, forcën më të fuqishme politike në vend.
“Unë me këtë rast dua të theksoj se sot, ishte hera e 5 që nga 18 dhjetori i vitit 2021 që anëtarët dhe anëtarët e PD dhe simpatizantët e saj folën, vendosën dhe firmosën me votën e tyre. Nuk besoj se të ketë një forcë tjetër politike gjëkundi që në një hark kohor, rreth 12 mujor, të ketë ushtruar me të gjithë anëtarësinë e saj 5 herë votën e tyre. Në këtë kontekst, unë kam bindjen se çdo anëtar/e i PD, simpatizantët e saj, ndihen më të lirë, më dinjitozë, më të motivuar se kurrë në idealet e tyre demokratike. Kam bindjen se ata vlerësojnë këtë ndryshim madhor, të PD. Këtë proces me të cilin kjo forcë politike përmbysi procedurën e përfaqësimit dhe zgjedhjet e drejtuesve partiakë, qeveritarë vendorë të saj. Në të gjitha këto procedura, sovrani për PD ishte anëtarësia, as kryetari dhe as kryesia. Pra, vendoset në këtë mënyrë një standard demokratik, i paparë më parë në Shqipëri, çka e bën sot PD, forcën më të fuqishme politike të Shqipërisë. Forcën më të përkushtuar për lirinë dhe të drejtat e anëtarëve të saj dhe nesër në pushtet të qytetarëve shqiptarë”.
Kryedemokrati theksoi se rruga e vetme është vota e lirë, se s’ka demokraci pa votën e lirë.
“Procedura e sotme, e primareve, shënoi gjithashtu hapjen e vërtetë, reale, institucionale, të PD. Në garë morën pjesë mbi 200 kandidatura, por nuk ka një prej tyre që të mund të thotë që se mora pjesë si kandidat i kryetarit apo kryesisë së PD. Jo. Që të gjitha si vullnet i lirë i kandidatëve apo propozim i anëtarëve dhe degëve të PD. Rruga e vetme është vota e lirë, se s’ka demokraci pa votën e lirë dhe ne shkojmë në këto zgjedhje më ballëhapur si asnjëherë”.
Anëtarësia e Partisë Demokratike dhe simpatizantë të kësaj force politike votuan këtë të diel përmes procesit të primareve për të zgjedhur kandidatët e opozitës për kryetarë bashkie në zgjedhjet lokale të 14 majit.