Sport Prioritetet e Juves: Dybala, Morata dhe blerja e Locatellit

Prioritetet e Juves: Dybala, Morata dhe blerja e Locatellit

Drejtuesit e Juventusit me mision të trefishtë: rinisjen e bisedimeve me “enturage”-in e Paylo Dybalas për të gjetur një zgjidhje në lidhje me rinovimin shumë të nevojshëm të kontratës, në të njëjtën kohë, zgjatjen e huazimit të Alvaro Moratas nga Atletico Madridi, si edhe përforcimin e mesfushës me Manuel Locatellin e Sassuolos. Në Continassa, në fakt, kanë vendosur të vazhdojnë me sulmuesin spanjoll, i cili shënoi 20 gola në 44 paraqitje këtë sezon. “Zonja e Vjetër”, në bazë të marrëveshjes, për të cilën ra dakord verën e kaluar, duhet të paguajë 10 milionë euro të tjera për huazimin.

Në këtë rast, vullneti i Massimiliano Allegri do të jetë vendimtar. Trajneri toskan, në të kaluarën, ka pasur mundësinë ta kishte nën urdhrat e tij sulmuesin madrilen. Pra, vazhdimësia, konsiderohet thelbësore për të hapur një cikël të ri, gradualisht. Morata, nga ana e tij, kurrë nuk ka fshehur dëshirën për të qëndruar në kryeqendrën piemonteze.

Juventusi vazhdon të këmbëngulë edhe për Manuel Locatellin e Sassuolos. Max Allegri u ka kërkuar drejtuesve të klubit pikërisht blerjen e 23-vjeçarit, të cilin e shikon si përforcimin ideal për mesin e fushës për sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër Sassuolo kërkon të rregullojë disi bilancin financiar dhe për këtë arsye mund ta nxjerrë në shitje futbollistin, por vetëm në rast se i paraqitet oferta e duhur. Mesfushori është i lidhur me Sassuolon deri më 30 qershor të 2023-it dhe kontrata e tij vlerësohet rreth 35 milionë euro.